
Pas dy vitesh mungesë, Maqedonia e Veriut do të kthejë ambasadorin e saj në Bullgari. Njoftimi është bërë nga ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, i cili shtoi se për disa ditë do të propozohet një emër konkret.
Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve të Maqedonisë së Veriut, MIA, ministri Osmani vlerësoi se ishte një gabim që gjatë këtyre viteve, vendi nuk ka pasur një ambasador në Bullgari. I fundit ishte Marjan Gjorçev, të cilit i përfundoi mandati në mars të 2020-s. Ndërkohë, kërkesa e Sofjes që Maqedonia e Veriut t’i regjistrojë bullgarët si pakicë në Kushtetutë ka nxitur një debat të gjerë.
Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, ka kundërshtuar me ngulm këtë duke theksuar se kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit. Ndërsa kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha se asgjë e keqe nuk do t’i ndodhë vendit nëse pakica bullgare vendoset në kushtetutë. (A2 Televizion)