Marrëveshja e 5 qershorit, Jakimi: Opozita parlamentare në presion të madh, deputetët të tregojnë veten

Nga A2 CNN
15 Qershor 2020, 10:34 | Politikë
Marrëveshja e 5 qershorit, Jakimi: Opozita parlamentare në presion

Fokusi i opozitës parlamentare së fundmi është kthyer te reforma zgjedhore, post dakordësisë në këshillin politik dhe para aktit final që do të ishte miratimi në parlament. Deputeti i opozitës parlamentare, Halil Jakimi ishte i ftuar në A2 ku foli për këto zhvillime.

Jakimi u shpreh se opozita parlamentare e ka fituar një betejë për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ai thekson se nuk do ta votojë marrëveshjen e arritur mes mazhorancës dhe opozitës jashtë parlamentit.

“Sot diskutohet kudo edhe me partnerët tanë strategjik për këtë. Ndryshimet që ne kemi kërkuar janë ndryshime që mbështeten nga 85% e qytetarëve shqiptarë dhe ne jemi të predispozuar deri në fund kërkesave tona. Këshilli Politik është një artificë e krijuar në mënyrë ekstraligjore. Përfaqësuesja e opozitës parlamentare nuk e ka firmosur platformën kur është formuar ky këshill, ndërsa ka firmosur produktin, por nuk njeh firmën e saj. Ne nuk ndalemi në këtë pikë. Opozita parlamentare me 29 deputetë që kanë nënshkruar atë nismë është e qartë, ne jemi për ndryshim sistemi. Unë mbështes marrëveshjen parimisht, por nuk mund ta votoj atë pasi nuk ka asnjë ndryshim. Si mundet t’i besojmë kësaj mazhoranca kur ata nuk kanë miratuar atë që ne kemi kërkuar”.

Më tej, deputeti u shpreh se opozita parlamentare është në një presion të madh edhe nga forcat jashtë parlamentit, por edhe nga mazhoranca. “Unë mendoj se ai draft nuk duhet të vijë fare në parlament, por të diskutohet edhe njëherë në komisionin për reformën zgjedhore, që është një filtër i kuvendit. Të merret në konsideratë vota e emigrantëve, të bëhet depolitizimi i administratës zgjedhore. Edhe nëse opozita fiton nesër zgjedhjet do të kemi të njëjtën histori, hap kutit. Kemi 15 muaj që mbajmë në kurriz të sharat e shqiptarëve dhe të sharat e pjesës së partive politike. Çdo deputet duhet të tregojë veten në këtë qëndrim që ka parashtruar”, u shpreh Jakimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos