Kërkesa e opozitës parlamentare për rishikim të Kushtetutës për listat e hapura rrezikon të mbetet në protokollin e Kuvendit.
Deputetët e Ballit Kombëtar Artur Roshi dhe Besnik Troplini kanë tërhequr firmën e tyre nga kërkesa. Në një postim në Facebook, deputeti Roshi shkruan se firmosi kërkesën për ndryshimet në Kushtetutë për hapjen e listave dhe jo ndalimin e koalicioneve parazgjedhore dhe vendosjen e pragut 5%.
“Ndërhyrja në Kushtetutë për hapjen e listave është një iniciativë e sinqertë e Opozitës Parlamentare, por që parashoh se do të ketë një përballje me pandershmërinë e pushtetit. Kjo lloj ndërhyrjeje, do të thotë ruajtjen e “status quo”, ruajtjen e sistemit bipolar politik që është sot, ruajtjen e sistemit të pengut nga kontrolli absolut i tregut politik”.
Më herët opozitarët kishin kërkuar edhe heqjen e pragut 5% si dhe heqjen e përjashtimit nga e drejta e koalicioneve parazgjedhore.
Nismat në Kuvend kërkojnë 28 firma, por me tërheqjen e dy deputetëve, duket se fati i kërkesës së opozitës parlamentare për të hapur listat, do të mbetet një dëshirë e tyre. (A2 Televizion)


