
Përfaqësuesi i Lartë i BE për Çështjet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, tha se ishte optimist për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, por në çdo rast, unioni ka marrë masa shtesë për të siguruar që gjithçka të shkojë sipas planit.
“Ne konsiderojmë që gjuha dhe teksti i kësaj marrëveshjeje është e mbyllur. Kjo marrëveshje sjell shumë shpresë për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Por një gjë është marrëveshja dhe tjetër gjë si dhe kur zbatohet. Sepse ka pasur marrëveshje të tjera që nuk janë zbatuar ndonjëherë dhe kjo nuk mund të ndodhë”, tha Borrell.
“Po punojmë për zbatimin e saj, me një shtojcë që është pjesë përbërëse e vetë marrëveshjes, që do të detyrojë palët të bien dakord për afatet dhe modalitetet e zbatimit e marrëveshjes. Shpresoj që të shtunën të dy palët të vijnë me afatet e zbatimit. Nëse kjo ndodh atëherë besoj se Ballkani Perëndimor do të festojë një hap të jashtëzakonshëm përpara”.
Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, takohen të shtunën në Bruksel ku dot ë diskutohen modalitetet e marrëveshjes, dhe zbatimi i saj. (A2 Televizion)