
Serbia bllokon procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Presidenti Aleksandër Vuçiç priti në zyrë të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, të cilit i tregoi parakushtin e tij për pranimin e planit të zbatimit të propozimit europian.
Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit serb në Kosovë dhe Metohi.
PRESIDENCA E SERBISË
Vuçiç, me anë të një postimi në rrjetin social instagram, njoftoi se biseda me ndërmjetësuesin Lajçak ishte e vështirë dhe kuptimplotë. Presidenti serb shtoi se do të vijojë bisedat me zyrtarin e Brukselit edhe gjatë të martës, të cilat janë një parapërgatitje për takimin e së shtunës në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që do të mbahet në kuadër të dialogut.
Lajçak po viziton Beogradin, pasi qëndroi dy ditë në Prishtinë javën e kaluar, me qëllimin kryesor që të gjejë një mënyrë për të avancuar me zbatimin e propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve. Ndërmjetësuesi po mbledh informacion mbi pikëpamjet e udhëheqësve në Kosovë e Serbisë, se si e shohin ata zbatimin e marrëveshjes.
Më 18 mars, atyre pritet që tu dorëzohet një dokument zyrtar për metodologjinë, hapat dhe afatet kohore të implementimit të planit me 11 pika të Bashkimit Europian. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm që ta firmosë ujdinë, por ngërçi qëndron tek presidenti Vuçiç që ka shprehur pakënaqësi për formulimin e propozimit, të cilin Brukseli nuk pranon në asnjë mënyrë që të ndryshohet. (A2 Televizion)