
Pavarësisht se dialogu me Serbinë ka shumë muaj që është ndërprerë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet optimist për një ujdi pajtimi të mundshme brenda këtij vitit.
Në një intervistë për median britanike “The Guardian”, kreu i shtetit përmend dhe nevojën për progres në bisedime. Media britanike risjell në vëmendje planin e Thaçit për shkëmbim territoresh që u kundërshtua me forcë nga Gjermania.
“Demarkimi i kufirit mund të jetë pjesë e ndonjë marrëveshje të përbashkët gjithëpërfshirëse njohjeje reciproke. Nuk mund të ketë kufij në vija etnike. Është e pamundur. Kosova dhe Serbia do të mbesin vende multietnike”, u shpreh Thaçi.
Presidenti i Kosovës tha ndër të tjera se nuk ekziston ndonjë plan për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Thaçi nënvizon se ka investuar të gjithë kapitalin e tij politik që ndërtoi për dy dekada në ndihmë të suksesit të bisedimeve me Beogradin. Sipas tij, dështimin e vazhdueshëm të dialogut do të vuajë i gjithë rajoni. (A2 Televizion)