
“Ne si Parti e Lirisë kemi kandidatë potencialë të cilët premtojnë për komunitetin e tyre do t’i fusim në primaret e përbashkëta me Berishën , kushdo që e cenon këtë proces përjashtohet nga gara. Kam një emër për kryetar të parlamentit të Tiranës, emër i cili ka patur mbështetjen e plotë të kryetarit të PD, është politikan, është thjesht një propozim konfidencial”, deklaroi Ilir Meta.
Dy aleatët duket se nuk kanë biseduar vetëm mbi formulat e bashkëpunimit ne zgjedhje. Protestat janë ana tjetër e medaljes së aksionit opozitar, për të cilat kryedemokrati Berisha njoftoi se tashmë ka një datë.
“Opozita, PD dhe PL dhe forca të tjera opozitare nisin më datë 12 nëntor betejën e madhe kundër regjimit të urryer, regjimit të Edi Ramës. Burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar, Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet”, u shpreh Sali Berisha.
Protestat, shpjegoi Berisha, synojnë largimin e Kryeministrit, për të cilin thotë se nuk meriton asnjë ditë më shumë në pushtet
“Ky është një armik i egër i votës së lirë, ky është një plaçkitës i paskrupullt përmes shtetit elektoral, patronazhistëve të kuq dhe bandave kriminale e parave të drogës. Ky është një armik i egër i interesit të shqiptarëve”, shtoi ish-kryeministri.
Berisha paralajmëroi se të enjten në mesditë do të zhvillojë një konferencë për mediat për të treguar te tjera detaje mbi takim me Ilir Metën, Petrit Vasilin dhe Flamur Nokën. (A2 Televizion)