
Pas arritjes së marrëveshjes mes palëve politike për rrugën drejt një kompromisi për Reformën Zgjedhore, ka ardhur edhe reagimi i Bashkimit Europian.
“Mirëpresim marrëveshjen e sotme ndërpartiake mbi ecjen përpara me një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Është një arritje e rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik të ??në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruhet në reagimin e BE.
“Ne besojmë se të gjitha partitë do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përfunduar një reformë zgjedhore në kohë, që do të miratohet nga parlamenti, për të mirën e qytetarëve shqiptarë dhe të ardhmen e tyre europiane”.
Edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri “mirëpret marrëveshjen e sotme politike për reformën zgjedhore”.
“E shohim këtë marrëveshje si një hap të parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë e në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prezenca është e gatshme të vijojë të kontribuojë në procesin e reformës zgjedhore, në përputhje me mandatin e saj”, lexohet në komunikatën e OSBE-së. (A2 Televizion)