
“Marrëveshja që ratifikojmë sot ka kushtet e konfidencialitetit dhe ne sot kemi të drejtë të njihemi me marrëveshjen dhe çdo detaj të saj, por është sekret shtetëror dhe nuk kemi të drejtë të japim asnjë informacion”. Këtë përgjigje dha nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, në studion e "Ditari" në A2 CNN, kur u pyet në lidhje me ratifikimin e marrëveshjes për vaksinën sot në Kuvend.
Sipas Hysit, deputetët do të njihen sot me marrëveshjen e vaksinës, pasi ajo nuk mund të votohet qorrazi dhe kush shkel kushtet e kësaj marrëveshjeje do të mbajë përgjegjësi penale.
“Ka një procedurë të veçantë për të cilin çdo person që lexon marrëveshjen nënshkruan që nuk do të nxjerrë asnjë informacion dhe kjo nuk do të thotë që ata do të votojnë qorrazi. Varet nga kushtet që janë në marrëveshje, por nëse janë kushte të tilla, ke përgjegjësi penale dhe ligji për sekretin shtetëror e përcakton qartë. Ajo që ka rëndësi për këtë marrëveshje është që ne të japim dritën jeshile, të mos krijojmë barriera dhe të bëhemi të gjithë bashkë. Opozita në një situatë të tillë u vu në pozitë të vështirë se i iku një kalë beteje për fushatë. Para përpjekjeve për të bërë pis çdo gjë në të mirë të shqiptarëve ne duhet të shohim si duhet të kontribuojmë”.
Për Hysin, është e rëndësishme që vaksina është siguruar dhe është e certifikuar, ndërsa ka keqardhje që në media flitet për origjinën e vendit që e solli.
“Për mua, nuk ka rëndësi që vaksina është siguria, është e certifikuar dhe qeveria e institucionet e ngarkuara për vaksinimin kanë garantuar mbajtjen e saj në kushte maksimale. Nuk e di pse i jepet rëndësi në media se nga erdhi vaksina. Me vjen keq, që sa herë ka zhvillime pozitive përpiqemi ta vëmë në dyshim dhe për të krijuar alibi që në Shqipëri nuk bëhen punë të mira. Shqipëria nuk ka qenë keq në politikat e vaksinimit të popullatës dhe fëmijëve dhe kemi të njëjta kritere, por për ruajtjen e vaksinave duhet të vlerësojmë ISHP, se të gjithë janë profesionistë. Nuk ka pse të kemi dyshime”. (A2 Televizion)