Marrëveshje 3 vjeçare për gazin, Vuçiç: Rusia do të na japë çmimin më të favorshëm në treg

Nga A2 CNN
29 Maj 2022, 16:29 | Ballkani
Marrëveshje 3 vjeçare për gazin, Vuçiç: Rusia do

Serbia është dakordësuar mbi një marrëveshje 3 vjeçare për furnizimin me gaz nga Rusia, nga e cila do të sigurojë një çmim shumë të favorshëm. Këtë e tha presidenti Aleksandar Vuçiç pas një telefonate të zhvilluar të dielën me shefin e Kremlinit Vladimir Putin.

“Ne do të nënshkruajmë një kontratë trevjeçare dhe të hënën ose të martën, do të diskutojmë për sasinë e gazit. Serbisë i duhen sasi të mëdha, por mund të them se ne do të kemi një dimër të sigurt”, tha Vuçiç.

Numri një i Beogradit deklaroi se çmimi që do të paguajnë do të jetë në bazë të formulës ekzistuese, që varet nga lëvizjet e çmimit të naftës në tregun botëror. Kjo sipas tij nënkupton “çmimin më të favorshëm të gazit në Evropë”.  Çmimi i gazit që Serbia do të blejë nga Gazpromi rus aktualisht është tri herë më i ulët sesa ai që paguajnë shtetet e tjera europiane, ndërsa në dimër ky çmim do të jetë  dhjetë deri në 12 herë më i ulët.

Vuçiç tha se pritet të paguajnë nga 340 deri në 350dollarë për 1,000 metër kub gaz, por “çmimi final do të varet nga sasia që do të dërgohet”.

Një marrëveshje aktuale 10-vjeçare për furnizimin me gazin rus, skadon në 31 maj. Serbia, e cila synon t’i bashkohet BE-së ka qenë nën trysni të vazhdueshme nga vendet perëndimore për t’iu bashkuar politikës së jashtme të bllokut dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë, për luftën në Ukrainë. 

Por shteti ballkanik varet kryesisht nga Moska për furnizimet me gaz dhe në 2008 ka vendosur sektorët e vet të gazit dhe naftës në duart e kompanive ruse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos