Marrëveshje sekrete me Pfizer, Izraeli shndërrohet në laborator, miliona doza të vaksinës

Nga A2 CNN
25 Janar 2021, 13:02 | Bota
Marrëveshje sekrete me Pfizer, Izraeli shndërrohet në laborator,

Izraeli duket se do të jetë vendi i parë që do të mundë koronavirusin. Ndërsa pjesa më e madhe e botës vuan mungesën e vaksinës, që prej 20 dhjetorit shteti hebre ka vaksinuar mbi 2.5 milionë qytetarë, nga 9.2 milionë që ka gjithsej.

Nga fundjava, mund të marrin vaksinën edhe të rinjtë mes moshës 16 dhe 18 vjec. Objektivi është të imunizohen 2/3 e popullisë brenda marsit. Në shtator, kryeministri Benjamin Netanjahu, kontaktoi personalisht shefin e Pfizer Albert Bourla, e sipas burimeve të cituara nga mediat, ka ofruar shumë më tepër para për të siguruar dozat, deri dyfshin e shumës së paguar nga amerikanët apo europianët.

Mësohet gjithashtu se ministri i Shëndetësisë ka firmosur një kontratë prej 20 faqesh me kompaninë farmaceutike, përmes së cilës garantoi të ofronte të gjitha rezultatet e fushatës së imunizimit, përfshirë detajet e çdo injektimi. Një ujdi e ngjashme është firmosur edhe me Modernën.

Por, shndërrimi i Izraelit në një laborator të shkallës kombëtare shqetëson organizatat që luftojnë për mbrojtjen e privatësisë. Qeveria pretendon se i ofrojnë Pfizerit vetëm statistika të përgjithëshme, pa të dhëna personale. Një peticion i paraqitur në gjykatë detyron ministrin e Shëndetësisë të bëjë publike ujdinë me Pfizer, edhe pse me disa pasazhe të fshehura.

Ndër të tjera, thuhet se qëllimi është të analizohen të dhënat epidemiologjike për të përcaktuar nëse arrihet imuniteti i tufës pas një përqindje vaksinimi. Për të përshpejtuar operacionet, dokumenti u aprovua pa mendimin e komisionit të Helsinkit, që cakton rregulllat për eskperimentet mjekësore te qeniet njerëzore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos