Ndërhyrja në ligjin për prokurorinë ashtu si 6 të tjerë të dakordësuar në këshillin politik, hyri në agjendën parlamentare formalisht si propozim i deputeteve të mazhorancës. Por, ai nuk është i vetmi që ka probleme në draftim, sipas socialistëve, dhe bie ndesh me ligjet e reformës në drejtësi, e as i vetmi që do ndryshohet.
“Kodi i procedurës, edhe kodi penal ka problematika, edhe ligji për funksionin e prokurorisë. Ndoshta, ligji për sinjalizuesit ndoshta mund të mos ketë nevojë”, u shpreh deputeti socialist Alekt Hyseni.
A e cenon kjo marrëveshjen politike të janarit, që uli palët në tryezë për reformën zgjedhore? “Politikisht i qëndrojmë frymës së marrëveshjes”, thotë deputeti Adnor Shameti. “Përtej Kushtetues, jo për Partinë Demokratike, por as për Partinë Socialiste, ne nuk mund të shkojmë”.
Sipas dakordësisë politike në 5 qershor, kodi zgjedhor së bashku me ligjet që detajojnë rregullat e sjelljes gjatë zgjedhjeve, duhet të ishin miratuar paralelisht. Kalendari i punimeve të kuvendit parashikon miratimin e tyre në seancën e 3 dhjetorit. “Zvarritja është e lidhur me draftimin jo të mirë të të gjithë këtyre nismave në Këshillin Politik”, thotë Shameti.
Demokratët e kanë quajtur shkelje të marrëveshjes politike, çdo prekje të drafteve të dakordësuara, për të cilat që në janar ishte rënë dakord që të mos prekeshin në diskutimet parlamentare.
All - Paragraf - 6“Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në seancë plenare në tekstin e miratuar dhe dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti”
Marrëveshja politike e 14 janarit për Reformën Zgjedhore
I kontaktuar nga A2, Damian Gjiknuri, firmëtari socialist i marrëveshjeve me opozitën jashtëparlamentare, thotë se dakordësia për të mos ndryshuar draftet, i referohej vetëm Kodit Zgjedhor dhe jo ligjeve të tjera që e shoqëronin atë. Por vetë akordi politik i janarit duket se e rrëzon këtë pretendim.
“Çështjet që do të adresohen përcaktohen në vendimin e Kuvendit nr. 102/2017 “Për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore” përfshirë dhe planin e punës të miratuar me konsensus nga komisioni në vitin 2017, si dhe çdo problematikë tjetër zgjedhore që palët bien dakord me konsensus me qëllim arritjen e standardeve zgjedhore ndërkombëtare”
Marrëveshja politike e 14 janarit për Reformën Zgjedhore
E kontaktuar nga A2, edhe Partia Demokratike i referohet marrëveshjeve, por tha se do të presë konkretizimin e ndërhyrjeve të mazhorancës para se të dalë me reagim. (A2 Televizion)