Shabani: Nuk bashkëpunojmë me ata të cilët kanë marrë pjesë në vjedhjen dhe rrjepjen e Shqipërisë

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2020, 14:15 | Politikë
Shabani: Nuk bashkëpunojmë me ata të cilët kanë

Endri Shabani, përfaqësues i Nismës, deklaroi në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, se kjo nismë nuk do të bashkëpunojë me “ata të cilët kanë marrë pjesë në vjedhjen dhe rrjepjen e Shqipërisë”.

“Nuk kemi në plan të bashkëpunojmë me ata të cilët kanë marrë pjesë në vjedhjen dhe rrjepjen e Shqipërisë. Mund të bashkëpunojmë me çdo parti që nuk ka njerëz që kanë qenë pjesë e pushtetit”, u shpreh Shabani.

Sipas tij, shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të votojnë të keqen më të vogël: “Kemi 30 vite kështu. Ka ardhur koha të votojmë të mirën, nuk mjafton më e keqja më e vogël. Sot, çdo njeri përpara Edi Ramës është e keqe më e vogël, por kjo nuk mjafton”.

“Kemi arritur në një pikë kritike si shoqëri, ku duhet të shohim se ku do të jemi në 100 vitet e ardhshme. Në rrugën që kemi zgjedhur, projeksionet e organizatave ndërkombëtare tregojnë se në 100 vitet e ardhshme, mund të mbetemi 500 000 banorë në Shqipëri. Pra, nuk jemi në rrugë shumë premtuese. Sipas raporteve të Bankës Botërore, shqiptarët kanë më shumë pasuri natyrore për frymë sesa gjermanët. Nga kjo pikëpamje, nuk mund të thuhet se jemi popull i varfër. Jemi të pasur me burime natyrore, kemi 300 ditë me diell, kemi burime njerëzore, por jetojmë të varfër. Ne jemi të vjedhur, paratë janë përqendruar në 3-4 duar dhe pjesa tjetër e popullsisë nuk po sheh dritë në fund të tunelit”, u shpreh Endri Shabani.

Përfaqësuesi i nismës “Thurje”, shtoi se “Parlamenti është i mbushur me analfabetë dhe kriminelë” dhe ne “duhet të bëjmë një hap për të zbythur ata që e kanë zaptuar vendin, njësoj si në 1944 apo njësoj si në 1912”.

“Nëse ka njerëz që qeveriset më mirë nga Rama, Basha apo Meta, le t’i votojnë. Por, njerëzit nuk kanë besim te këta. Gjasat janë që gjysma e qytetarëve të mos votojnë sërish dhe ne duam të komunikojmë me këtë pjesë. Ne duam të nisim transformimin politik”, nënvizoi Shabani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos