Kosova dhe Serbia të krijojnë kushtet e nevojshme për vazhdimin e dialogut. Është kjo porosia që vjen nga Bashkimi Europian, përmes zëdhënësit Peter Stano, i cili ka folur për median Radio Evropa e Lirë.
Megjithatë, zyrtari nuk përmend afate kohore se kur mund të ndodhë një takim i nivelit të lartë në Bruksel mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Puna në dialog po vazhdon. Ne e kemi përsëritur vazhdimisht javëve të fundit se ka një pritshmëri të qartë nga ana e BE-së që palët t’i ndërmarrin hapat e përcaktuar shumë qartë për uljen e tensioneve dhe t’i krijojnë kushtet për vazhdimin e dialogut”, deklaroi Stano.
Aktualisht, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është në fazën e përgatitjes për takimin e radhës të nivelit të lartë.
Ai ka përmendur shtatorin si afat kur mund të ndodhë një raund i ri dialogut, por nuk ka përcaktuar ndonjë datë.
Zëdhënësi i BE-së përsëriti thirrjet për zbatimin e shpejtë dhe pa vonesa të të gjitha marrëveshjeve që kanë dalë nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë paktin për normalizimin e raporteve dhe aneksin e tij.
Ndërkohë, hera e fundit, kur u zhvillua një raund dialogu në Bruksel ishte data 22 qershor, por në atë rast nuk u zhvillua një takim mes Kurtit dhe Vuçiç për shkak të tensioneve tepër të larta. (A2 Televizion)
