



















Qindra qytetarë morën pjesë në një marshim në Tiranë për të protestuar kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe ambasadori i Ukrainës në vendin tonë, Volodymyr Shkurov, si dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim.
“Putin i kishte bërë keq llogaritë. Ai mendoi se mund të futej në Ukrainë dhe bota do t’i hapte rrugë. Por ai u ndesh me popullin ukrainas. Jam e nderuar që jam këtu për të shprehur mbështetjen e SHBA-së ndaj Ukrainës”, tha Kim. “Besoj se çdo shqiptar bie dakord me këtë. Nuk e them thjesht sepse jeni aleatë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, por sepse askush më mirë se shqiptarët nuk e di sesi ndihesh kur dikush të mohon ekzistencën tënde, të thotë se nuk duhet të jetosh. Askush nuk e di më mirë sesa ju tmerrin e të larguarit dhe arratisurit nga terrorizmi. Askush nuk e njeh më mirë agoninë për hapjen e varreve të familjarëve që kanë vdekur. Kështu që iu bashkohem sot për të shprehur solidaritetin dhe miqësinë tonë për popullin e Ukrainës”, tha Kim në fjalën e saj
Marshimi nisi nga Sheshi “Skënderbej” dhe u ndal në sheshin “Vëllezërit Frashëri” pranë hyrjes së ambasadës ruse në Tiranë. (A2 Televizion)