Të paktën 12 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me armë zjarri në një godinë qeveritare të shtetit amerikan të Virxhinias. Autori i masakrës u vra nga policia.
Ai u identifikua si inxhinieri 40 vjeçar DeUajn Kradok, punonjës i pakënaqur në departamentin e shërbimeve publike në bashkinë e Virginia Beach.
Sulmi nisi pas orës 16 të së premtes kur i dyshuari filloi të qëllonte pa dallim ndaj kompleksit të zyrave administrative. Zona u izolua nga policia, dhe punonjësit u evakuan. Një prej viktimave u qëllua në makinë, ndërsa pjesa tjetër u gjet në të treja katet e godinës qeveritare.
4 efektivë hynë brenda ndërtesës, lokalizuan agresorin dhe u përfshinë në një shkëmbim të gjatë zjarri, me pasoje vdekjen e 40 vjeçarit. Shefi i policisë e përshkroi skenën si të tmerrshme, të ngjashme më një zonë lufte. Policia sekuestroi një pushkë dhe një pistolete, që mendohet të jenë përdorur nga I dyshuari. (A2 Televizion)