Masat antikoronavirus, Policia e Shtetit mobilizohet për kontrolle në të gjithë vendin

Nga A2 CNN
17 Qershor 2020, 17:04 | Aktualitet
Masat antikoronavirus, Policia e Shtetit mobilizohet për kontrolle në

Shtimi i rasteve të infektimit me koronavirus thuajse në të gjithë vendin ka ngritur në këmbë Policinë e Shtetit. Në të gjitha qarqet e vendit, drejtoritë e policive kanë ngritur grupe shërbimi të posaçme, në monitorim të masave dhe protokolleve të miratuara kundër përhapjes së virusit.

Baret, restorantet, njësitë e shërbimit, tregjet, bankat, institucionet publike e madje edhe shëtitoret janë monitoruar nga shërbimet e policisë. Ruajtja e distancimit fizik, si dhe masat e tjera konkrete që çdo subjekt duhet të marrë janë objekt i grupeve policore që kanë nisur tashmë kontrollin.

Në qytetin e Korçës, policia ka vënë 5 gjoba me vlerë 1 milion lekë të reja secila ndaj subjekteve tregtare, bare dhe restorante, të cilat u gjetën në shkelje të masave antikoronavirus, duke mbajtur klientë në ambiente të mbyllura.

Gjithashtu, policia ka në fokus të veçantë survejimin e personave të infektuar me koronavirus. Uniformat blu marrin “online” çdo ditë emrat e personave të infektuar të cilët duhet të qëndrojnë të karantinuar në banesat e tyre në secilin qark të vendit.

Ndëshkime do të ketë edhe për qytetarët që nuk respektojnë distancat e sigurisë fizike gjatë xhirove në shëtitore apo parqe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos