
Kriza me koronavirusin nuk është arsye për Partinë Demokratike që qeveria të ndalë “hapjen e thesit” për miqtë e kryeministrit.
Nga Selia Blu, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, bën llogaritë e milionave që, sipas tij, janë dhënë vetëm në një javë për tendera.
Po me laps e me letër, PD ka përllogaritur koston që do të kishte kompensimi i të vetëpunësuarve nga qeveria: “Për të vetëpunësuarit në biznesin e vogël, qeveria t’ju paguajë 300 euro për çdo muaj që biznesi qëndron mbyllur, me një total prej 20-25 milionë euro/muaj. Për punonjësit në bizneset fasonë, call center dhe operatorë turistikë, me një kosto totale deri 30 milionë euro/muaj”.
Atyre që PD i quan shpenzime plotësisht të përballueshme për buxhetin, Rama i përgjigjet me ironi: “Plani 7x7=42 është zgjuar sot me rritje të shifrave! Deri kur të mbarojë lufta, shifrat do kapin nivelin e një vendi të G7-s”.
Pas këtij reagimi, edhe kundërpërgjigjja e Lulzim Bashës, i cili thotë se Kryeministri, në vend që të japë menjëherë 120 milionë eurot e PPP për shëndetin e mijëra familjeve, merret me sulmet kundër opozitës. (A2 Televizion)