
Epidemiologët i kanë renditur urbanët në kategorinë e “bombave biologjike” për nga përhapja e virusit Covid-19. Një ambient i mbyllur, ku është vështirë të flasësh për mbajtje distance, e aq më tepër për obligimin personal për mbajtjen e maskës.
Mosrespektimi i kësaj mase nis që nga stafi i shërbimit urban, e deri tek ata që janë përdorues të përditshëm të linjave të transportit. Task Forca u zotua se do të monitorojë masat në urbane, por asnjë punonjës nuk duket në terren, e aq më pak masa administrative ndaj të pabindurve.
Paralelisht kësaj situate, tek qytetarët mbizotëron shkujdesja në respektimin e masave të rekomanduara për mbrojtje nga infektimi. Maska nuk është e detyrueshme në ambientet e jashtme, por ka prej tyre që këto ditë po e mbajnë, madje presin ashpërsim dhe zbatim masash. Pas festave dhe mbërritjes së variantit Omicron, në vendin tonë infektimet kanë thyer rekordet në shifra. Autoritetet prej më shumë se 7 muajsh, nuk kanë ndërmarrë masa shtrënguese në raport me situatën, ndërsa bëjnë thirrje për zbatimin e atyre që janë në fuqi. (A2 Televizion)