
Pas bisedimeve të vështira që zgjatën më shumë se 5 orë, dhe kundërshtive nga disa ministra, kryeministrja britanike Theresa May, arriti të sigurojë mbështetjen e kabinetit qeveritar për draft marrëveshjen e arritur me BE për Brexit.
Por tani atë e pret një sfidë edhe më e vështirë, përballja me parlamentarët. Në radhët e konservatorëve pro shkëputjes dhe të partisë së unionit demokratik ka pakënaqësi të theksuara, dhe pritet të kërkohet një votim mosbesimi.
Laburistët do të njoftojnë më vonë nëse do e mbështesin ujdinë. Pas bisedimeve maratonë, May tha se zgjidhja për britanikët duhet të jetë e qartë.
“Kjo marrëveshje, e cila pason referendumin për Brexit, e cila na kthen kontrollin në paratë tona, ligjet dhe kufijtë, i jep fund lëvizjes së lirë, mbron vendet e punës dhe sigurinë. Alternativat janë; largimi pa marrëveshje, ose anulimi i Brexit”, tha kryeministrja angleze.

Michel Barnier, kryenegociatori i BE
Nga ana e tij, Brukseli thekson se pavarësisht dakordësimit për një draft marrëveshje, nevojitet ende shumë punë. “Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme, por të dyja palët kemi përpara një rrugë të gjatë deri në zgjidhjen përfundimtare”, deklaroi Michel Barnier, kryenegociatori i BE.
Presidenti i Këshillit Evropian përgëzoi punën e kryenegociatorit Barnier dhe tha se marrëveshja kishte siguruar interesin e 27 vendeve anëtare dhe të BE-së si një të tërë.
Tusk konfirmoi se nëse nuk ndodh diçka e papritur një samit i jashtëzakonshëm do të mbahet në 25 nëntor për formalizimin dhe finalizimin e marrëveshjes së Brexit. (A2 Televizion)