May: Brexit mund të mos ndodhë me refuzimin e ujdisë

Nga A2 CNN
14 Janar 2019, 15:40 | Bota
May: Brexit mund të mos ndodhë me refuzimin e ujdisë

Refuzimi i marrëveshjes për Brexit mund të çojë në pezullimin e planit për largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Paralajmërimi është bërë nga kryeministrja Theresa May, në një përpjekje për të bindur deputetët që të mbështesin ujdinë e saj. Përmes një fjalimi të mbajtur në një fabrikë, numri një i Londrës paralajmëroi pasojat që mund të kalojë vendi pas votimit të së martës në parlament.

“Pasojat e refuzimit të ujdisë nga parlamenti do të ishin katastrofike dhe do të çonin në dy skenarë: Një Brexit pa marrëveshje, që do të shkaktojë turbulencë për ekonominë tonë, krijon pengesa për bashkëpunimin në siguri dhe dëmton jetën e përditshme të qytetarëve; ose sjell rrezikun që të mos kemi Brexit”.
Theresa May, Kryeministre e Britanisë së Madhe

Ndër të tjera, May akuzoi disa deputetë pa përmendur emra konkretë, se dëshirojnë të arrijnë një largim nga BE pa marrëveshje. Sipas saj, refuzimi i ujdisë sjell dëme serioze për demokracinë.

Nga ana tjetër, Laburistët janë zotuar të nxisin një votim mosbesimi nëse marrëveshja e Theresa May nuk do të votohet. Lideri i partisë Jeremy Corbyn tha se do të votonte kundër ujdisë dhe do të angazhohej për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, 100 eurodeputetë i janë drejtuar Mbretërisë së Bashkuar me anë të një letre duke i kërkuar që të rimendojë largimin nga Unioni Europian. Votimi për marrëveshjen për Brexit në parlamentin britanik mbahet nesër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos