
Paris Saint-Germain vendosi të përjashtojë Kylian Mbappé nga skuadra që do të udhëtojë drejt Japonisë dhe Koresë së Jugut, për të marrë pjesë në turneun aziatik. Vendimi i papritur është një tregues i pozicionit të klubit kundër sulmuesit, i cili nuk pranon të rinovojë kontratën që përfundon në vitin 2024.
Kjo ka bërë që zyrtarisht ylli i parizienëve të jetë në merkato. Sipas mediave franceze, vendimi u morr pas ngjarjeve të javëve të fundit, me klubin që pret sinjale për nisjen e negociatave për kontratën e re.
Presidenti Al Khelaifi i vendosi ultimatum futbollistit, që duhet të vendosë deri më 31 korrik se çfarë do të bëjë me të ardhmen. Ajo datë lidhet edhe me “shpërblimin e besnikërisë”, me vlerë 40 milionë euro, nëse Mbappé pranon të aktivizojë klauzolën për rinovimin e kontratës deri në vitin 2025.
Ndërsa trajneri i ri Luis Enrique ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, situata e Kylian Mbappé mban pezull planet e drejtuesit të stolit. Vetëm pak kohë më parë Al-Khelaifi i dërgoi një mesazh të qartë, me fjalët “nëse nuk do të luash për PSG, atëherë nuk duhet të qëndrosh këtu”.
Sipas “L'Equipe”, 24-vjeçari ka arritur marrëveshjen me Realin e Madridit, për t’iu bashkuar gjigandëve spanjollë gjatë verës së ardhshme. Qëllimi është transferimi me parametër zero dhe përfitimi i një kontrate të majme, por në Paris nuk duan ta humbasin pa marrë asgjë në këmbim.
Nëse Reali kërkon ta afrojë menjëherë, atëherë duhet të paguajë dhe transferimi i mundshëm i Mbappé do të tronditë merkaton e sulmuesve në të gjithë Europën. (A2 Televizion)