
Kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, pas gjetjes së mbetjeve kimike në tragetin e linjës Brindizi-Vlorë, ka denoncuar lidhjet e kryeministrit Edi Rama me pronarin e firmës së grumbullimit që transportonte mbetjet kimike nga trageti jashtë Portit të Vlorës.
Malltezi u bëri apel institucioneve ligjzbatuese që të zbulojnë se ku kanë përfunduar 14 ngarkesat e mëparshme me kimikate të ardhura nga Italia.
“Rama lejon importin e mbetjeve nën etiketën si kimikate, përmes VKM 665 të datës 21.09.2016. Vlonjatët patën mundësi të ndjejnë nga afër dëshirën e madhe të Edi Ramës për të importuar plehrat e botës. Mediat italiane raportuan për të paktën 15 udhëtime me traget, ku sasi të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, largohej nga Italia me qëllim depozitimin në Shqipëri sipas një skeme tipike mafioze. Vlonjatët dhe gjithë shqiptarët panë Edi Ramën në darkë të ngushtë me z. Kornuzi, që banon në Siçili, pronarin e ndërmarrjes “Kornuzi”, biznesi i së cilës është ajo e depozitimit të mbeturinave dhe e cila transportonte ngarkesën jashtë Portit të Vlorës. Tek rruga e 15-të mesa duket qenkan prishur pazaret dhe u kap ngarkesa. Po ku kanë përfunduar 14 ngarkesat e mëparshme me mbetje të rrezikshme?”, tha Malltezi. (A2 Televizion)