
Detaje të reja kanë dalë në lidhje me sasinë e madhe të lëndës narkotike që u kaq mbrëmjen e së shtunës nga policia e Korçës, në kuadër të operacionit policor të koduar "Restart".
Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, mësohet se janë sekuestruar mbi 114 kg kanabis sativa në dy automjete, që kishte si destinacion tregun grek.
Deri tani janë shoqëruar 4 persona për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, 3 prej të cilëve me precedent të mëparshëm penal në fushën prodhimit, shitjes, trafikimit të narkotikëve dhe dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Të arrestuarit janë Ligor Romaçka, 29 vjeç, Joni Mosku, 36 vjeç, Idriz Manej, 66 vjeç dhe Albion Çiko, 21 vjeç.
Në pikën kufitare të Goricës, në dalje së Shqipërisë, u bë kapja e shtetasit Joni Mosku, me profesion avokat, pasi në mjetin e tij tip "Opel Meriva", u gjetën të fshehura 66 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu gjatë kontrollit të një magazine në lagjen nr. 1, Korçë, të marrë në përdorim nga Ligor Romaçka, në brendësi të një mjeti tip "Opel Meriva", pa targa, pa dokumentacion, u gjet një sasi tjetër prej 48 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një presë që shërben për paketimin e lëndës narkotike.
Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale ishin edhe dy shtetasit Idriz Menaj, në rolin e poseduesit të lëndës narkotike dhe shtetasi Albion Çiko, i cili kishte kryer modifikimin e mjetit, me qëllim fshehjen e sasisë së lëndës narkotike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 114 lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 armë sportive tip pistoletë, 4 automjete, 6 aparate celularë dhe 1 pajisje metalike, e cila shërbente për paketimin e lëndës narkotike.
(A2 Televizion)