
Edhe pse kanë kaluar disa orë nga gjetja e trupit të pajetë të biznesmenit Ruzhdi Hoxha në Qafë-Mollë, ai nuk është lëvizur prej aty.
Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, i cili po ndjek veprimet e policisë, raporton se terreni është shumë i vështirë dhe për këtë arsye po pritet mbërritja e Forcave Speciale sepse nuk po nxirret dot trupi i viktimës.
Trupi është i dekompozuar, çka lë të mendohet se është vrarë disa javë më parë. Trupi i biznesmenit të fushës së inerteve u gjet këtë paradite pas kërkimeve të policisë. Një ditë më parë, në zonën aty pranë u gjet xhupi i tij dhe me ndihmën e qenve u bë e mundur edhe lokalizimi i trupit të 43-vjeçarit.
Viktima u gjet në Qafë-Mollë, mbrapa Dajtit, në një greminë, i mbuluar me zhavorr e gurë. Trupi i pajetë do të transportohet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës, thotë Policia.
Për vrasjen e Hoxhës, Policia akuzon mikun e tij Ferdinant Rrushi, i cili është edhe personi i fundit që ka pasur kontakte me të. Rrushi ndodhet në paraburgim, pasi u arrestua më 26 tetor të këtij viti, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.
Biznesmeni Ruzhdi Hoxha ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët e tij dy javë më parë. Hoxha kërkohej prej 24 tetorit, tri ditë pasi familjarët kishin humbur kontaktet me të.
Për herë të fundit Hoxha ishte fiksuar nga një kamera sigurie në zonën e autostradës Tiranë-Durrës pranë një biznesi. Fillimisht ishte djali i tij që referoi rastin në komisariatin numër 5 për t’u regjistruar më pas në Policinë e Tiranës. Mësohet se nga kërkimet e kryera blutë e kryeqytetit kanë mundur të gjejnë kartën sim të telefonit të Hoxhës përmes së cilës janë zbuluar dhe komunikimet e fundit të tij. Mes tyre është dhe një telefonatë me shtetasin Fredi Rrushi i skeduar nga drejtësia italiane për trafik droge. E kaluara e mikut të tij ka bërë që dyshimet e hetuesve të mos përjashtonin edhe pazaret e drogës si pistë për rrëmbimin e tij. (A2 Televizion)