
Përafërsisht 10.749 civilë janë vrarë dhe 15.599 të tjerë kanë mbetur të plagosur në Ukrainë që kur Rusia pushtoi vendin, në shkurt të vitit të kaluar.
Sipas autoriteteve ukrainase, në shifrën totale të të vdekurve përfshihen 499 fëmijë.
Yuriy Belousov, kreu i Departamentit të Krimeve të Luftës të Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës, në një intervistë me agjencinë e lajmeve Interfax-Ukraine tha se pasi të çlirohen territoret e pushtuara, numri i të vrarëve pritet të rritet.
"Unë mendoj se do të ketë dhjetëra mijëra të vdekur vetëm në Mariupol", tha Belousov.
Më 7 korrik, OKB-ja raportoi se kishte konfirmuar vdekjen e “më shumë se 9000 civilëve, duke përfshirë mbi 500 fëmijë”, por numri real pritet të jetë më i lartë.
Belousov tha se shifrat e Prokurorisë së Përgjithshme janë të ngjashme me ato të organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara. Ai shtoi se ekipi i tij kishte regjistruar po ashtu 98.000 krime lufte të kryera nga forcat ruse në Ukrainë, gjatë pushtimit.
Raportimi me shifra vjen në një kohë kur Ukraina po përgatitet për samitin e paqes në Arabinë Saudite.
Kreu i zyrës së Presidentit të Ukrainës, Andrii Yermak, thotë se ekipi i tij mbetet në komunikim të vazhdueshëm me partnerët e Kievit dhe po përgatitet për samitin në Rihad.
“Ne vazhdojmë të përgatisim takimin e dytë në nivel të këshilltarëve të sigurisë kombëtare dhe këshilltarëve politikë të liderëve të shteteve në Arabinë Saudite. Ai do t'i kushtohet parimeve kryesore të paqes bazuar në Formulën e Paqes të Presidentit Volodymyr Zelensky”, shkroi ai në Telegram.
Synimi i Kievit është që ky samit i dytë të jetë më i gjerë se ai i qershorit në Kopenhagë, duke rritur numrin e pjesëmarrësve për të përfshirë vende nga Azia, Afrika, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine.
“Qëllimi ynë në Arabinë Saudite është të zhvillojmë një vizion të unifikuar të Formulës dhe të përpunojmë mundësitë e mbajtjes së Samitit të ardhshëm Global të Paqes. Ne duhet të rivendosim rendin botëror, ligjin ndërkombëtar dhe të vendosim një paqe të drejtë bazuar në Kartën e OKB-së dhe në kushtet e Ukrainës”, deklaroi ai.
Kushtet që Ukraina ka, përfshijnë një rrugë drejt sigurisë bërthamore, sigurinë ushqimore, një gjykatë speciale për krimet e dyshuara të luftës ruse dhe një traktat përfundimtar paqeje me Moskën, por Rusia nuk pritet të marrë pjesë në bisedimet në Arabinë Saudite. (A2 Televizion)