
Nuk do të ketë korridore humanitare ditën e mërkurë në Ukrainë, me zv/kryeministren Iryna Vereshchuk që thotë se situtata përgjatë itinerareve të evakuimit është e rrezikshme.
Vendimi njoftohet ndërsa Rusia vijon me grumbullimin e trupave në rajonin lindor të Donbasit, për atë që është cilësuar si beteja përfundimtare. Imazhe satelitore të kompanisë teknologjike Maxar tregojnë forcat e Moskës duke avancuar nga tre zona kufitare të Rusisë, Belgorod, Voronezh dhe Matvev Kurgan.
Pjesë e autokolonave ushtarake janë mjete të blinduara, trupa me tenda dhe pajisje mbështetëse. Ushtria ruse bombardoi me artileri infrastrukturën civile në qytetin lindor të Kharkiv dhe në Zaporizhia. Sipas guvernatorit Oleh Synegubov, të paktën 7 persona humbën jetën dhe 22 të tjerë u plagosën në Kharkiv, ku në total u raportuan 53 sulme me artileri ose raketa.
Në një fjalim për parlamentin estonez ditën e mërkurë, Presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se po përdor bomba me fosfor dhe taktika terrori ndaj civilëve: “Në qytetet ukrainase që u shënjestruan nga sulmet ruse, dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë. Kundër zonave rezidenciale dhe infrastrukturës civile, ushtria ruse po përdor të gjitha llojet e artilerisë, të gjitha llojet e raketave dhe bombave ajrore, përfshirë ato me fosfor”.
Komuniteti ndërkombëtar vijon të shprehet i shqetësuar për mundësinë e përdorimit të armëvë kimike, por Moska i mohoi akuzat dhe kritikoi ato që i quajti deklarata provokuese. Sipas Ministrisë së Brendshme në Ukrainë, më shumë se 720 qytetarë janë vrarë e 200 të tjerë janë zhdukur në Bucha dhe rrethina të tjera të Kievit, që ishin pushtuar nga forcat e Vladimir Putin.
Kryebashkiaku i Buchas thotë se 403 trupa janë gjetur deri më tani, me bilancin që pritet të rritet. Zyrtarë në Ukrainë thonë se lufta ruse i ka kushtuar jetën të paktën 200 fëmijëve deri më tani, ndërsa 300 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sakaq, bilanci i Organizatës së Kombeve të Bashkuara flet për 1892 civilë të vrarë në total që prej fillimit të luftës, në 24 shkurt. (A2 Televizion)