Mbi 80 viktima nga tornadot shkatërruese në SHBA, Biden shpall gjendjen e emergjencës në Kentaki

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2021, 09:08 | Bota

Mbi 80 persona kanë humbur jetën si pasojë e dhjetëra tornadove që kanë përfshirë disa pjesë në zonat qendrore dhe jugore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetëm në Kentaki më shumë se 70 persona dyshohet se kanë humbur jetën.

"Kjo ka qenë një prej netëve më të vështira në historinë e Kentakit," tha guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, duke theksuar se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet.

Më shumë se 30 tornado janë raportuar në të paktën gjashtë shtete, duke përfshirë Missouri, Tenesi dhe Mississippi. Një shtrirje prej më shumë se 250 miljesh nga Arkansas në Kentaki mund të jetë goditur nga një tornado e dhunshme dhe e gjatë, thanë meteorologët e CNN.

Tornado goditi një fabrikë qirinjsh në Mayfield, Kentaki, ku ndodheshin 110 persona në atë kohë, tha guvernatori, ndërkohë që ekipet e shpëtimit kanë shpëtuar 40 njerëz.

Kushtet me të cilat përballen autoritetet janë jashtëzakonisht sfiduese, me stacionin e policisë në Mayfield të shkatërruar dhe pajisjet e zjarrfikësve të dëmtuara.

Dhjetëra mijëra njerëz në shtet janë gjithashtu pa energji dhe ujë.

Të paktën 12 njerëz vdiqën nga tornadot në shtete të tjera, duke përfshirë gjashtë në një magazinë Amazon në Illinois.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se qeveria do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar zonat qendrore të vendit të shkatërruara nga tornadot. Ai  ka nënshkruar një Deklaratë Federale të Katastrofave të Urgjencës, duke liruar fonde për Kentakin, shtetin më të prekur nga stuhitë shkatërruese. Ai tha se stuhitë ishin ndër më të mëdhatë në historinë e SHBA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos