
Më 27 shkurt, në Podgoricë do të mbahet mbledhja e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Pavarësisht problemeve në politikën e brendshme të të dyja shteteve, kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazoviç do të ulen në tryezë për të diskutuar mbi çështje të cilat do të kërkojnë bashkëpunimin e të dyja kabineteve.
A2CNN ka mësuar se në fokus të këtij takimi do të jetë ndërtimi i Urës mbi Lumin Buna, ku të dyja palët duhet të bien dakord mbi projektin final dhe buxhetin e nevojshëm që do të ndahet ndërmjet dy qeverive.
Plani i Tiranës dhe Podgoricës është që ura me kosto zbatimi 9 milionë euro, me një gjatësi 310 metra të ndërtohet deri në 2025. Kjo vepër pritet të shkurtojë distancën ndërmjet Ulqinit me Velipojën, ndërsa është parashikuar që të shfrytëzohet jo vetëm nga automjetet, por edhe nga këmbësorët.
Zhvillim po, por edhe shumë komunikim që do të përmirësohet nëpërmjet kësaj. Qytetarët do të mund të lëvizin lehtësisht pa pasur nevojë të bëjnë një tur të gjatë rreth e rrotull.
Një tjetër bashkëpunim ndërqeveritar ka të bëjë me rikthimin e Lumit Buna në një hapësirë lundruese për anijet, jahtet dhe mjetet e tjera më të vogla, me objektivin që t’ju mundësohet lëvizja nga deti në liqen.
Këto çështje janë diskutuar në parim mes Edi Ramës dhe Dritan Abazoviç 1 vit më parë në Ohër, ku kryeministri i Malit të Zi mori pjesë si vëzhgues në takimin e Ballkanit të Hapur. (A2 Televizion)