
Mblidhet të enjten pasdite Këshilli Politik, organi i dakordësuar në marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës, që do të autorizojë platformën e punës për procesin e Reformës Zgjedhore.
Këshilli Politik përbëhet nga dy bashkëkryetarët e komisonit, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, përfaqësues të opozitës dhe krerët e grupeve parlamentare. Opozita përcaktoi përfaqësuesit e saj në një mbledhje që thirri në orët e mbrëmjes kryeopozitari Lulzim Basha. Në Këshillin Politik opozita do të përfaqësohet nga ish-deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ai PBDNJ-së Vangjel Dule dhe Mesila Doda nga PDIU.
Platforma do të përkthehet në ndryshime konkrete me ligjin elektoral në tryezën e 4 aktorëve politikë, socialistit Gjiknuri, opozitarëve Bylykbashi dhe Vasili dhe Rudina Hajdarit si përfaqësuese e opozitës kuvendore, tryezë që do të asistohet edhe nga ekspertë të OSBE-ODIHR.
Më herët, lideri demokrat mblodhi Kolegjin e Kryetarëve dhe ish-grupin parlamentar dhe Kryesinë e PD-së. Në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve disa anëtarë propozuan idenë e protestës në muajin shkurt, por nuk pati vendimarrje në Kryesi.
Në mbledhje, Basha sqaroi arsyet që e çuan PD-në në uljen në tryezë me mazhorancën për realizimin me konsensus të Reformës Elektorale. (A2 Televizion)