
Lulzim Basha ka mbledhur këtë pasdite kryesinë e Partisë Demokratike, ku nga burime të A2 CNN mësohet se janë shkarkuar 11 kryetarë të degëve që nuk firmosën për kuvendin e 18 dhjetorit.
Bëhet fjalë për degën Tropojë, Shijak, Fushë-Krujë, Tirana 1, Tirana 3, Tirana 9, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Vlorë dhe Gjirokastër. Gjithashtu, Kryesia ka vendosur dhe thërritjen ditën e diel të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD.
Sipas burimeve, Basha e ka quajtur tubim mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, pas shpalljes “non grata” të Berishës. “Ka indicie për shkelje të ligjit, falsifikim të logos dhe vulës”, citohet Basha nga burimet.
Më herët, delegatët e pranishëm në kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike, votuan për të shkarkuar kryetarin Lulzim Basha, si dhe për të ndryshuar statutin e partisë. Megjithatë, fjala e fundit i mbetet referendumit të thërritur për datën 18 dhjetor, ku çdo anëtarë i partisë në të gjithë vendin do të votojë për të ratifikuar votimin e të shtunës.
Në mbledhjen e Kryesisë munguan dhe zyrtarë të lartë të PD si Edi Paloka, Belind Këlliçi, Ivi Kaso, Albana Vokshi, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Gert Bogdani, Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Ervin Minarolli dhe Ledina Mandia. (A2 Televizion)