Pas shkarkimit të Bashës, Berisha: Rama të heqë dorë nga përpjekjet për t’i garantuar mbijetesën pengut

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2021, 18:24 | Politikë
Pas shkarkimit të Bashës, Berisha: Rama të heqë dorë

Ish kryeministri Sali Berisha është shfaqur i entuziazmuar pas rezultatit të zgjedhjeve të Kuvendit të thirrur prej tij dhe “Foltores”, i cili me me 4446 vota pro nga 4934 delegatë votoi pro shkarkimit të Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Përpara kamerave, ish-drejtuesi i PD u shpreh se në këtë Kuvend u rivendos pluralizmi politik në Shqipëri dhe rithemelimi i Partisë Demokratike.

Berisha, gjithashtu i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama të heqë dorë nga përpjekjet për t’i garantuar mbijetesën Lulzim Bashës, të cilin e cilësoi një kufomë politike.

“Kjo ishte dita më e veçantë më e jashtëzakonshme në historinë e lirisë së shqiptarë. Ky Kuvend ishte vepër e anëtarëve të lirë të PD, i pari i këtij lloji në historinë e pluralizmit. Triumfi i lirisë që gufon nga idealet në zemrat e anëtarëve, është triumfi më madhështor nga të tjerët. Sot në 8 orë mbi 4934 delegatë firmosën, vendosën në këtë monument madhështor të rivendosjes së pluralizmit, të rithemelimit të PD si një forcë vigane opozita. Në këtë moment historik të revolucionit paqësore i cili është në misione të mëdha për përmbysjen e narkoshtetit, të së drejtës së shqiptarëve për votën e lirë, pa patronazhistë, opozitë kukull. Mirënjohje për ata që mbushën Foltoret dhe erdhën këtu sot si arkitektë të të ardhmes së PD dhe për gjithë shqiptarët. Më lejoni meqenëse ky është Kuvendi i parë që zhvillohet në një arenë sportive, nuk mund të largohem pa i çuar urimet kombëtares dhe tifozëve kuqezi të cilët unë i dua shumë pasi janë atdhetarë të vërtetë dhe iu them që në stadium u zhvillua ndeshja më e mahnitshme mes lirisë dhe të shkuarës. Rroftë liria. Peng Basha, nuk do doja të flisja për të, i rrethuar me batalionin e policisë së Ramës. Është një kufomë politike dhe asgjë më shumë.  Selia është vetëm një dhe vetëm një. Do shkojmë në momentin më të parë që do vendosim. Ajo nuk është seli e pengjeve e rrethuar me blindat e Ramës. Ramës i them hiq dorë nga çdo përpjekje për t’i garantuar mbijetesë pengut tënd”, u shpreh Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos