“Ata janë të sofistikuar, të zgjuar dhe gjithmonë të mbarojnë punë”… Nga portet e Europës, në rrugët e Londrës, një rrjet kriminal që tashmë komandon tregtinë me vlerë 5 miliardë dollarë të kokainës në Mbretërinë e Bashkuar…
Kështu shkruan “The Guardian” për grupet kriminale shqiptare, në një shkrim të gjatë që analizon sjelljen, veprimtarinë dhe modelin e tyre të biznesit, që, me sa duket, i ka bërë të jenë të dominues në ishull.
Kur flet për trafikantët e drogës në Angli, të parët që të vijnë në mendje janë “Hellbanianz”, grupi famëkeq i të rinjve në periferi të Londrës që dominon rrjetet sociale (dhe burgjet angleze) me video dhe foto ku nuk kanë turp të tregojnë me se merren.

Por sipas “The Guardian” ata janë vetëm shitësit me pakicë të “mallit” dhe rrjeti është shumë më i zgjeruar, duke fituar edhe respektin e organizatave kriminale më të mëdha të kontinentit, sidomos ato italiane, të cilat tashmë i konsiderojnë partnere organizatat shqiptare.
Se si arritën shqiptarët të pushtojnë tregun britanik të kokainës, sipas “The Guardian” është një leksion që duhet mbajtur shënim nga kriminelët: Ata prishën rregullat dhjetëra vjeçare ku secili kishte pjesën e vet për të bërë. Shqiptarët nisën të shkonin vetë deri në Amerikën e Jugut për të sjellë kokainën në Europë dhe Britaninë e Madhe.

Sipas të dhënave të agjencive britanike të sigurisë, ata arrinin të merrnin kokainë nga kartelet për 4000 deri në 5000 paund për kilogram, një shifër kjo që i lejoi të nxirrnin jashtë loje konkurrencën, sepse çmimi u ul dhe cilësia u rrit.
Në favor të tyre ishte, sipas “The Guardian”, është edhe fakti që reputacioni i paraprin shqiptarët si të besës, por edhe të dhunshëm - për shkak të luftës së Kosovës - por edhe Kanuni, ku gjaku lahet me gjak.
Por jo të gjithë janë dakord me stilin e jetës që Hellbanianz bëjnë dhe shpalosin në rrjetet sociale. Mohammed Qasim, kërkues në Universitetin e Lidsit, thotë se krerët e organizatave janë kundër. “Kjo sjellje bie ndesh me kulturën shqiptare. Tregtarët ndërkombëtarë nuk e pëlqejnë këtë sepse ekspozon aktivitetin e tyre. Ata duan të fitojnë para pa rënë në sy”, thotë ai për “The Guardian”. (A2 Televizion)