Pas James Rubin, radhën për të dëshmuar në Hagë e kishte ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan. Ai gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, në fillim të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, foli për rolin e tij në Kosovë. Ai tha se detyra e tij ishte ta informonte Clarkun - gjeneralin që udhëhoqi fushatën bombarduese kundër caqeve serbe në vitin 1999.
“Fokusohesha në informimet, informoja gjeneralin Clark në 7:30 të mëngjesit, më duheshin 45 minuta vozitje deri në vendin ku qëndronte ai, zakonisht zgjohesha, hyja në internet, lexoja të gjithë informatat që mund të gjeja në internet, çka kishte ndodhur në 24 orët e fundit lidhur me Kosovën. Më pas dëgjoja lajmet 24 orët e fundit, hipja në automjet, dëgjoja BBC gjatë rrugës që vozitja, kur shkoja në zyrë lexoja të gjitha kabllogramet diplomatike që ishin shkëmbyer gjatë natës, lexoja shërbimet e monitorimit që mund të kishin konstatuar elemente që nuk ishin konstatuar nga lajmet, lexoja të gjitha vlerësimet e shërbimit informativ. Hyrja në takim, informoja gjeneralin Wesley Clark, së bashku pastaj shkonim dhe informonim përmes videolidhjes komandantët operativ në teren. Më pas gjatë ditës lexoja kabllogramet nëse vinin, bisedoja me personat që njihja, me gazetarë, me OJQ, me organizata të ndryshëm, me persona të ndryshëm, në mënyrë që të merrja informacion sa më shumë, që të mund të krijoja një panoramë se çka po ndodhte”, tha ai, përcjell A2 CNN.
Ish-diplomati britanik, tha se UÇK-ja nuk kishte strukturë hierarkike. Në ditën e parë të dëshmisë së tij në Hagë, ai tha se fuqinë reale e kishin komandantët e zonave. “Nuk kishin struktura hierarkike, ishin të organizuar ndryshe, nuk mund të shkonim thjeshtë të bisedonim me zotëri Thaçin, apo me gjeneral Çekun dhe të mendonim se e zgjidhëm problemin. Nuk funksiononte kështu. Duhej flisnim me personat që vërtetë kishin kompetenca, dhe ata ishin komandantët e zonave”, theksoi Duncan.
Ai tha se fuqinë reale në UÇK e kishin komandantët e zonave. “Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonalë dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneral Agim Çekun [14 qershor] në fillim të negocimit të marrëveshjes, ai na tha që nuk e bëj dot këtë pa praninë e komandantëve të zonave. I besova, ishte ngulmues për këtë çështje. Tha dy gjera, e para, tha që zotëri Thaçi nuk ishte i disponueshëm dhe për ta bërë një gjë të tillë, Thaçi do të duhej të konsultohej, dhe më pas ai shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë nëse në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave”, shtoi ai.
John Stewart Duncan, tha se UÇK-ja kishte përbërje heterogjoene. “Ka qenë një grup heterogjen personash, shumë heterogjen, dhe ndryshuan. Përbërja e aktorëve kryesorë, e personave kryesorë, veçanërisht kur fillojë të përshkallëzohej spastrimi etnik kishte disa shtresa, do jap një shembull konkret, kishte pasur persona që kanë qenë ushtarë në armatën jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë, të tjerëve të cilëve iu ishin keqtrajtuar familjet, kështu që motivi i tyre për të rrëmbyer armët ishin i ndryshëm ndonjëherë”, tha ai.
Ai përmendi edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. “Kishte gra në UÇK. Kishte që ishin abuzuar seksualisht, dhunuar seksualisht, të abuzohet seksualisht një femër shqiptarë është e tmerrshme... Kam takuar shumë nga këto gra dhe kanë qenë shumë mbresëlënëse”, theksoi ai.
Dëshmia e tij vjen pasi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u dëgjua ish-ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat në Rambuje, Paul Ëilliams. Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi një javë më parë, më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit. Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti. (A2 Televizion)