Mbyllet samiti i G7, liderët: Shtojmë sanksionet për Moskën, tavan mbi çmimin e naftës ruse

Nga A2 CNN
28 Qershor 2022, 20:31 | Bota
Mbyllet samiti i G7, liderët: Shtojmë sanksionet për Moskën,

Liderët e ekonomive më të zhvilluara në botë, u zotuan se do të bëjnë Rusinë të paguajë për luftën e paprovokuar në Ukrainë, në mbyllje të samitit të G7-s në Gjermani. Kancelari Olaf Sholc, mikpritës i takimit 3 ditor, tha se sanksionet kundër Moskës janë e vetmja zgjidhje për sa kohë lufta vazhdon. Ai shpalosi planet për të ndaluar transportin e naftës ruse që është shitur mbi një çmim të caktuar, me qëllimin për ta goditur në zemër makinerinë e luftës në Rusi.

Sholc tha gjithashtu se 4.5 miliardë dollarë do të shpenzoheshin për të luftuar urinë në botë, e përkeqësuar pas agresionit rus në Ukrainë.

“Do të vazhdojmë të mbajmë në fuqi dhe të rrisim kostot ekonomike dhe politike ndaj presidentit Putin dhe regjimi të tij. Pa një marrëveshje të drejtë më Ukrainën, sanksionet kundër Moskës do të vazhdojnë”.

Presidenti Emanuel Macron tha se Rusia nuk mundet dhe nuk duhet ta fitojë luftën. Në fjalët e tij në përmbyllje të samitit në kështjellën Shlos në alpet bavareze, Macron e cilësoi sulmin kundër qendrës tregtare ne Ukrainën qendrore si një krim lufte. Ai zotua se Franca do të vazhdonte të mbështeste Kievin për sa kohë të ishte e nevojshme.

“Rusia nuk mundet dhe nuk duhet të fitojë. Kështu mbështetja jonë për Ukrainën dhe sanksionet kundër Rusisë do të mbeten në fuqi për sa kohe të jetë e nevojshme”.

Kryeministri britanik Boris Johnson, mbrojtës i linjës së ashpër me Rusinë, duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve tha se nuk beson që Londra do të përfundojë në luftë me Moskën.

“Nuk mendoj që do të arrijmë deri aty, po punojmë shumë që konflikti të mos i kalojë kufijtë e Ukrainës. Putin do të përpiqet ta zgjerojë luftën dhe të thotë se kjo është diçka mes NATO-s dhe Rusisë, por nuk është kështu”.

Sulmin e së hënës kundër qendrës tregtare në Ukrainë, Johnson e cilësoi  një akt barbar, dhe tha se njerëzit po shihnin se çfarë ishte në gjendje të bënte Putin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos