Samiti i NATO në Madrid, Aleanca adreson sfidat pas luftës në Ukrainë

Nga A2 CNN
28 Qershor 2022, 12:40 | Bota
Samiti i NATO në Madrid, Aleanca adreson sfidat pas luftës në

Liderët e NATO-s mblidhen të martën në Madrid, në atë që konsiderohet si një prej samiteve më të rëndësishme të aleancës ushtarake perëndimore në vitet e fundit, pas luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

Shtetet anëtare pritet të dakordësohen për përforcim të mbrojtjes kolektive dhe rritje të pranisë ushtarake në kahun lindor.

Në një deklaratë për mediat ditën e hënë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se po planifikonin rritje të forcave të gatishmërisë së lartë në mbi 300 mijë.

Samiti pritet të përcaktojë gjithashtu fazën e ardhshme të luftës në Ukrainë. Sipas Stoltenberg, liderët do të pajtohen për një paketë të re të ndihmës për Ukrainën në fushën e komunikimeve, sistemeve antidronë dhe naftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të flasë para krerëve të shteteve anëtare, përmes një video lidhjeje. Edhe bllokada e Turqisë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në këtë aleancë, është pikë e nxehtë diskutimi.

Stoltenberg do të zhvillojë takime me liderët e të tria shteteve në përpjekjen për të zgjidhur ngërçin. Uniteti i proklamuar i NATO-s është vënë në provë, pasi Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës kërkon garanci nga Finlanda dhe Suedia, sa u përket mbështetjes së pretenduar për grupet kurdë që Ankaraja i konsideron terroriste.

Në samit pritet të ndryshojnë edhe qëndrimet zyrtare për Rusinë, pasi prej vitit 2020, aleanca e ka konsideruar Moskën si partnere strategjike.

Samiti do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, me dhjetëra mijëra policë që janë angazhuar për të garantuar rendin. Rrugët kryesore dhe bulevardet e Madridit do të jenë pjesërisht të mbyllura gjatë punimeve të samitit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos