
Mbyllja për disa ditë e shkollave në rang kombëtar për shkak të ftohtit, është maja e ajsbergut e një sistemi arsimor në krizë. Sipas politologut Afrim Krasniqi, “ky nuk është as rasti i parë dhe i fundit, në 30 vitet e fundit nuk kemi bërë asgjë për arsimin, ndërkohë që vijojnë eksperimentet si zëvendësimi i të shtunës, që gjithsesi prish sistemin familjar”.
Krasniqi, i ftuar në A2 CNN, është edhe më i shqetësuar për një fakt tjetër. “Pse duhet që titullari në Tiranë të vendosë mbylljen e shkollave, ndërkohë që duhet ta bëjnë autoritetet lokale. Janë ata që dinë specifikat e zonës, që janë përgjegjës për ngrohjen, duhet të pranojnë që nuk e kanë arritur qëllimin e ngrohjes duke kërkuar ndihmë. Por në fakt ndodh që kryetarët e bashkisë na thonë që gjithçka është në rregull, na marrin taksa, si konviktorët dhe qytetaret, se kështu i ndan kryetari këtu, të dy palët paguajnë, ndërkohë që nuk tregojnë si po shkon sistemi, mbyllin shkollat dhe ja kalojnë përgjegjësinë Ministrisë”, thotë ai.
Politologu shton se “në vite kemi ndryshuar shumë drejtues arsimi, asnjë nuk pranon se ka dështuar, të gjithë janë të suksesshëm, ndërkohë që Shqipëria nuk ka arsim, një nivel funksional, dhe më të mirët po na largohen nga vendi”. (A2 Televizion)