
Kishte mbetur edhe betimi për të kurorëzuar qeverisjen e Shkodrës nga socialistët. Përtej entuziazmit që i shoqëroi rrugës deri tek dera e Këshillit Bashkiak, Elisa Spiropali si drejtuese politike e Qarkut, u kujdes që dhe me besëtytnitë të ishin në rregull.
Benet Beci është kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës që vjen nga Partia Socialiste në historinë mbi 30-vjeçare të demokracisë shqiptare. Për katër vitet e ardhshme bashkia me e madhe dhe më e rëndësishme ne veriun e vendit, do të menaxhohet në shumicë edhe në këshillin bashkiak nga Partia Socialiste.
Qeverisja do t’i vijë dhe më e lehtë Becit për shkak se edhe këshillin bashkiak e fitoi e majta në Shkodër. Pas konstituimit dhe kryerjes së procedurave për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të këshillit, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, mbajti edhe fjalimin e tij të parë para këshilltarëve.
Shkodra është një prej bastioneve blu që ra në duart e socialistëve më 14 maj. Premtimeve për projekte që do të ndryshojnë Shkodrën, aftësive menaxhuese të Benet Becit, partia e kryeministrit Rama u shtoi edhe faktin se kandidati i tyre vinte prej radhëve të së djathtës, dikur edhe i kandiduar për deputet nga Partia Demokratike e Sali Berishës. (A2 Televizion)