“Me Nezën kam miqësi”, Meta: Revolta popullore ka shpërthyer

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2023, 19:21 | Politikë
“Me Nezën kam miqësi”, Meta: Revolta popullore ka

“Ne do të jemi sërish në protestë para Kuvendit, në mbrojtje me çdo çmim të Republikës Parlamentare”.

Me këtë thirrje, Ilir Meta ftoi edhe njëherë qytetarët që të bashkohen në protestën e thirrur nga opozita paraditen e së enjtes para Parlamentit.

“Revolta popullore, ka shpërthyer, më e vendosur se kurrë dhe ajo nuk do të ndalet deri në largimin përfundimtar të Edi Ramës”.

Kreu i Partisë së Lirisë konfirmoi se do të jetë në mbështetje të PD edhe në datën 3 Mars, kur është thirrur protesta kombëtare që përkon me ditën kur Gjykata e Apelit mund të ketë një vendimmarrje për vulën e PD.

“Nuk është çështje e Partisë Demokratike dhe e demokratëve. Është çështje e vetë demokracisë, është çështje e pluralizmit politik. Është çështje e shpartallimit të grushtit të shtetit, një proces i nisur më herët”, tha Meta.

Për sa i përket fotos së tij me Agron Nezën, Meta tha se daton 10 vite më parë kur ka qenë kryetar Kuvendi. Pa mohuar njohjen dhe miqësinë me Nezën, thotë se kurrë nuk i ka kërkuar favore.

“Aty ka dhe përfaqësues të trupit diplomatik nga vendet që kanë ardhur në atë takim. A është Rosini aty? Pasi unë kur ftoj dhe më ftojnë nuk i pyes se kë marrin me vete. Për sa i takon zotit Neza, njohja ime me të është e hershme. Pasi është vëllai i Agim Nezës që ka qenë bashkëpunëtori im. Kemi pasur marrëdhënie shumë shoqërore dhe shumë miqësore. Por as i kam kërkuar ndonjë favor dhe as nuk kam pranuar favore, nga ai dhe askush tjetër”, shtoi Meta.

I pyetur nëse McGonigal ka qenë i fshehur pas sulmeve ndaj tij kur ishte President i Republikës, Meta nuk mohoi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos