“Më pak e errët, por ende kritike”, klima e biznesit në Shqipëri mbetet e ashpër për sipërmarrjet gjermane

Nga A2 CNN
25 Maj 2023, 13:37 | Ekonomi

“Më pak e errët, por gjithsesi kritike.” Është ky përfundimi i Dhomës Gjermane të Tregtisë mbi klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2023. Sipërmarrjet gjermane ndihen të kërcënuara veçanërisht nga mungesa e fuqisë punëtore, pagat e rritura, çmimet e energjisë dhe lëndëve të para, kursi i këmbimit dhe korrupsioni.

“Ndërkohë ka një ngritje domethënëse te negociatat për anëtarësim në BE. Kemi një rënie të arsimit akademik, por prapë qëndron në një nga 5 faktorët e mirëvlerësuar. Kemi përmirësim të faktorëve të tjerë, por qëndrojnë në nivele të ulëta, fleksibiliteti në tregun e punës, disponueshmëria në faktorin lokal, disiplina në paga, stabiliteti social dhe politik apo dhe infrastruktura”, u shpreh drejtues ekzekutiv i DIHA, Bledar Mankollari.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, teksa komentoi edhe rritjen e pagave të deputetëve, vlerësoi se politika duhet të përfshijë gjithë popullatën me qëllim frenimin e emigracionit.

“Mendoj se deputetët e parlamentit të paguhen në mënyrë dinjitoze, si çdo parlamentar, që duhet të kryejnë një punë të mirë. E rëndësishme ama është dhe niveli i përgjithshëm i pagave. Qeveria shqiptare planifikon që të rrisë pagat në sektorin publik. Kjo lidhet dhe me debatin e emigracionit. Shqipëria duke pasur parasysh dhe rajonin, ka nivelin e pagave më të ulëta në rajon”, tha ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf.

Sipas anketës së realizuar nga DIHA, 45 për qind e sipërmarrjeve gjermane pohojnë se situata ekonomike në Shqipëri nuk është e mirë. Në raport me një vit më parë ky tregues është rritur me 3 për qind. Ndërkohë 30 për qind e bizneseve të pyetua parashikojnë se situata ekonomike në vend do të mbesë e keqe.  

Për herë të parë këtë vit, bizneset gjermane u pyetën nëse do të riinvestonin në Shqipëri dhe 70 për qind e tyre pohuan se do ta bënin, ndërsa pjesa tjetër u përgjigjën negativisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos