
Anëtarja e Kryesisë së PD, Jonila Godole tregoi në Debat me Alba Alishanin dhe detaje nga mbledhja e grupimit të Alibeaj ku u diskutuan emrat që do të kandidonin për bashkinë e Tiranës.
Godole shprehet se ishte vetë kandidati Roland Bejko ai që propozoi emrin e saj për këtë garë, por shton se kur u votua në këtë mbledhje nuk ishte e pranishme.
“Ishte zoti Bejko që më propozoi. Unë dhe Landi kemi luftuar shumë fortë që partia të dalë me kandidat pasi ishte ideja që mund të dilej vetëm me emra për këshilltarë bashkiakë. Ishte një propozim. Unë nuk thashë as po as jo thjesht e lashë të rridhte dhe doja ta testoja. Dhe doja të testoja dhe tezën që një njeri që vjen nga jashtë ka sukses në këto struktura. Unë edhe pse e mora me shaka, e krijova një grup me ekspertë që kishin idetë dhe jam e lumtur që njerëz të tillë të jenë këtu për platforma. Unë e kam mbështetur Landin. Nuk isha pjesë e takimit ku u votua. Nuk e kisha menduar që do të lihej çështja e kandidatëve ditën e fundit. Landi e ka marrë këtë përgjegjësi në një situatë të vështirë. Unë do ta mbështesë dhe ka nevojë dhe për mbështetjen e të gjithë kryesisë që të bëjë një fushatë si duhet në Tiranë”, tha Godole në A2 CNN. (A2 Televizion)