Turizmi e ka nisur vitin me “këmbë të mbarë”, jo vetëm në numër turistësh. Me gjithë nisjen e zbehtë në janar, hotelet, bujtinat, por edhe ata që japin apartamente me qira po fitojnë më shumë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 2 muaj e parë të 2023-shit strukturat akomoduese kanë pritur gati 70 mijë të huaj, shifër kjo e rritur me 71 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“2023-shi është vit i plotë. Nuk ka më frikë nga Covid, ndryshe sa pati në fillim të 2023.Fluturimet janë në kulm, ndërsa na është hapur edhe tregu aziatik”, thotë për A2 CNN Besnik Vathi nga Shoqata e Tur-Operatorëve.
Pjesa më e madhe e turistëve të huaj, gati 60 për qind u akomoduan në hotelet dhe apartamentet me qira kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Në veri u akomoduan 29 për qind e të huajve që hynë në vend në 2 muaj e parë dhe pjesa tjetër u vendos në jug.

Për përfaqësuesin e Tur-Operatorëve, harta e ndryshimeve pritet të ndryshojë shpejt me hotelet e jugut që do të presin pjesën më të madhe të të huajve. “Do të kemi hotelet nisur që nga Durrësi, Vlora, Himara apo Saranada që janë përgatitur të presin më shumë të huaj. Afrimi i verës do t’i zhvendosë të huajt nga qendra drejt jugut, thotë Vathi.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në harkun e muajve janar-shkurt, në vend kanë hyrë mbi 700 mijë të huaj nga rreth 435 mijë vitin e shkuar duke u rritur kështu me 64 për qind. (A2 Televizion)
