
Barcelona humbi 3-2 në shtëpi ndaj Eintracht Frankfurt, por në fakt dukej si një ndeshje në transfertë, pasi tifozët gjermanë ishin të barabartë në numër, për të mos thënë më të shumtë, sesa ata katalanas.
Për këtë gjë, dha shpjegime pas ndeshjes vetë Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i cili tha se është i turpëruar nga ajo që ka ndodhur me biletat.
“Ishte një turp që nuk mund të përsëritet më. E dimë se çfarë ka ndodhur dhe nga sot do të jemi më striktë”, tha Laporta për “Barça TV”.
“Nuk mund të jap detaje tani, kur të marrim masat do të shpjegoj gjithçka. Lindi një situatë e pakëndshme. Si katalanas, më vjen turp nga ajo që pashë sot. Kishtë shumë tifozë të ekipit kundërshtar, jam ndjerë i turpëruar. Nuk duhet të kishte ndodhur kjo gjë me biletat, por e kemi studiuar pse ka ndodhur dhe do të marrim masa. Nuk do të ndodhë kurrë më”, shtoi Laporta. (A2 Televizion)