Europa League, Barcelona përballë Frankfurt, Atalanta ndaj Leipzig

Nga A2 CNN
14 Prill 2022, 12:43 | Futboll
Europa League, Barcelona përballë Frankfurt, Atalanta ndaj Leipzig

Mbrëmja e së enjtes do të përcaktojë dhe skuadrat gjysmëfinaliste të Europa League, ku në fushë do të zbresin emra të mëdhenj si Barcelona, Atalanta apo Leipzig.

Vëmendja më e madhe shkon te sfida Barcelona-Frankfurt. Çdo llogari është e hapur, pasi dueli i parë në Gjermani përfundoi me rezutatin e barabartë 1-1. Edhe pse e sheh veten favorit, dhimbje koke ka për trajnerin Xavi, që ka një “lumë” me mungesa. Deri më tani, të sigurt janë Umtiti, Ansu Fati dhe Dani Alves, ndërsa në dyshim janë Depay dhe Pique.

Interes ngjall dhe dueli mes Atalanta dhe Leipzig, ku çdo gjë do të vendoset në Bergamo. Trajneri Gasperini vuan mungesën e rëndësishme të Berat Gjimshitit. Shtatlarti, pas dëmtimit që mori në shpatull në duelin me Napolin, duket se e ka mbyllur sezonin. Mediat italiane raportojnë se futbollisti i kombëtares shqiptare do t’i duhet të paktën 1 muaj që të qëndrojë jashtë fushës së blertë.

Nga ana tjetër, ndeshje e bukur është dhe ajo mes Lyon dhe West Ham. Për anglezët, kjo është hera e parë në histori që kualifikohen në këtë fazë dhe gjithçka është në dorë të tyre, pasi dueli i parë përfundoi me barazimin 1-1.

Bileta e fundit për në gjysmëfinale do të përcaktohet nga sfida Braga-Rangers. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos