
“25 prilli është i rëndësishëm, sepse do të na ribashkojë përsëri me pjesën e përparuar europiane, për ta bërë Shqipërinë pjesë të Europës. Unë kam bindjen që me reforma të thella, me një qeverisje të drejtë, që buron nga vota e shqiptarëve, qeveris me shqiptarët, për interesin e shqiptarëve, padyshim brenda 4-vjeçarit të parë, do ta bëjmë Shqipërinë vend anëtar të Bashkimit Europian, falë reformave që kanë në radhë të parë interesin kombëtar si prioritet, interesin e Shqipërisë, luftën kundër krimit të organizuar”.
Kështu u shpreh kreu republikan, Fatmir Mediu, gjatë një takimi me strukturat e partisë në Laprakë.
Kush mohon, nuk ndërton tha Mediu dhe Edi Rama këtë bëri, vetëm mohoi. “Nga ana tjetër, Edi Rama shkatërroi konceptin e shtetit dhe ka arritur sot që të jetë vetëm ai, që nuk pyet as për Partinë Socialiste, as për qeveri, as për Parlament, as për gjyqësor”
Duke theksuar nevojën e bashkimit të së djathtës, Mediu vlerësoi rolin dhe historinë e së djathtës.
“Historia e ka vendosur të djathtën në anën e duhur, atje ku ka qenë interesi ynë kombëtar dhe këtu duhet që Partia Demokratike, Partia Republikane dhe gjithë e djathta, t’i thërrasë kujtesës së vet historike. Historia e së djathtës ka filluar që në kohën e komunizmit, me të gjithë ata që u persekutuan nga sistemi komunist, me të gjithë ata që u shpronësuan nga sistemi komunist, me të gjithë ata që besuan në Zot në kohën e sistemit komunist, ata njerëz që me besimin në Zot, dinin të ndërtonin shpresë dhe besim te njerëzit, u sakrifikuan me qindra klerikë”.
Mediu shprehu kënaqësinë e angazhimit në PR të të rinjve, duke e vlerësuar atë si detyrë qytetare dhe domosdoshmëri. “Duhet patjetër që të angazhoheni në politikë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Politika është një marrëdhënie e domosdoshme në një shoqëri demokratike, për të vendosur dhe për të ndryshuar dhe më mirë të jemi aktorë sesa të bëhemi spektatorë të jetës sonë. Kush nga ne do ta sodisë fatin e vet. Në qoftë se do ta sodisim do të jemi viktimë, të tjerët do të vendosin për ne. Në qoftë se do të debatojmë me njëri-tjetrin, do të angazhohemi në politikë, atëherë padyshim që do të kemi mundësi të vendosim për fatin tonë dhe për fatin e familjeve tona, të njerëzve tanë dhe të shoqërisë shqiptare. Prandaj unë jam i lumtur dhe e them me sinqeritet që shikoj Xhinon dhe shumë të rinj, të cilët bashkohen në rrugëtimin politik, për të bashkuar shqiptarët drejt Shqipërisë Europiane”, u shpreh Mediu. (A2 Televizion)