
Në mbledhjen e kryesisë së Partisë Republikane, Fatmir Mediu bëri disa sugjerime që, sipas tij, duhet të përfshihen në programin e përbashkët të qeverisjes së opozitës. Ndër to, një kapitull i rëndësishëm iu kushtua çështjes së pronave që përfshijnë zgjidhjen e çështjes së pronës private në mbështetje të pronarit të ligjshëm dhe ajo e të përndjekurve politikë.
“Në qoftë se ka një krim të kryer mbi shoqërinë shqiptare, por edhe mbi ekonominë shqiptare është çështja e pronës private. Janë mbi 8 mijë viktima nga mosrespektimi i të drejtës së pronës private në Shqipëri dhe çështja e pronës private është sa një çështje e së drejtës, është një çështje sociale, është një çështje ekonomike është dhe një çështje politike”.
Në ketë aspekt, Mediu deklaroi se vlerëson qëndrimin e Partisë Demokratike për ta riparë pozicionin e vet në raport me pronat, por që ajo duhet koordinuar me atë të PR, që sipas tij është “partia e vetme në mbështetje të lirisë dhe të drejtës së pronës të përcaktuar në Kushtetutë”.
Mediu shtoi se Partia Demokratike ka angazhuar në drejtim të fushatës elektorale figura nga të përndjekurit politikë dhe ky është një hap jashtëzakonisht pozitiv, por nuk është e mjaftueshme që ne të përqendrohemi vetëm në disa figura, por ta shohim çështjen e të përndjekurve politikë si një detyrim të së djathtës”. (A2 Televizion)