Mediu: Kostoja e kurimit të COVID-19, disa herë më e lartë se paga mesatare mujore

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2020, 09:52 | Politikë
Mediu: Kostoja e kurimit të COVID-19, disa herë më e lartë

Fatmir Mediu, në një takim me strukturat e Partisë Republikane, në Njësinë nr.3, bëri thirrje për një kujdes të veçantë nga pandemia e Covid-19.

“Shumë jetë kanë humbur, shumë të tjerë kanë kaluar vështirësi të mëdha shëndetësore dhe pamundësi financiare për t’u përballur. Kostoja e kurimit të Covid-19 është disa herë më e lartë, se paga mesatare mujore dhe papunësia e varfëria ka rënduar më shumë këtë situatë”, tha Mediu.

Më tej, kreu i PR-së, foli për zgjedhjet e ardhshme parlamentare: “Zgjedhjet e 25 prillit kanë një rëndësi kombëtare. Rama ka shkatërruar çdo mundësi mirëbesimi dhe bashkëpunimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si asnjëherë më parë, nuk ka një Reformë Zgjedhore për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODHIR-it. Me qëllim të qartë manipulimi, ai ndryshoi Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor pa opozitën, në kundërshtim me kërkesat e Bashkimit Europian dhe kushteve të Gjermanisë. Për këtë arsye, vendet anëtare të BE-së janë kundër hapjes faktike të negociatave ndërmjet konferencës ndërqeveritare, që pritej të zhvillohej, nëse Shqipëria do të plotësonte kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman. Ndryshimet kushtetuese që bëri Rama, nuk janë praktikë e asnjë vendi të NATO-s, apo vendeve që duan të bëhen pjesë e BE-së. Edhe Putini, që Rama kërkon të imitojë, e ndryshoi Kushtetutën me referendum”.

“Regjimi i korruptuar në pushtet nuk ka asgjë të përbashkët me BE-në, sepse Bashkimi Europian është çdo gjë e kundërt me atë që ka ndërtuar Rama, është respekt për qytetarët, Kushtetutën, ligjin, institucionet, është luftë kundër korrupsionit dhe krimit, është standard ekonomik dhe social”, shtoi Mediu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos