
Kryetari i Partisë Republikane, ish-ministër i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ka depozituar në parlament një rezolutë për mënyrën se si duhet të angazhohet Shqipëria në lidhje me tensionet në Ballkan, në “Intervistë për Merita Haklaj” u shpreh se Shqipëria i shikon zhvillimet në Ballkan vetëm në lupën e raporteve ekonomike.
“Pavarësisht nga debatet e mëdha të brendshme politike që ne kemi, besoj se është e nevojshme që të diskutojmë në kohë dhe të mbajmë qëndrimet e duhura në raport me interesin tonë kombëtar dhe zhvillimin në rajon, për arsyen sepse është e domosdoshme që t’i paraprijmë çdo lloj fenomeni negativ, për më tepër duhet të kapitalizojmë marrëdhëniet si shqiptarë në rajon, forcën që kemi. Ne i shikojmë zhvillimet në Ballkan vetëm në lupën e raporteve ekonomike. Konfliktet në Ballkan nuk kanë pasur në krye të herës diferencat ekonomike, kanë qenë diferencat e mëdha historike”, u shpreh Mediu.
Por pse u ritensionua tani situata në Ballkan, sipas Mediut? “Kemi një ndryshim të balancave në Ballkan. Nëse në fillim të viteve 1990 dominanca e SHBA dhe e Europës ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme dhe influenca e Rusisë dhe Kinës ka qenë e pavlerësuar, nga ana tjetër Turqia ka pasur një linjë pothuajse të njëjtë me vendet e anëtare të NATO, BE dhe SHBA. Tashmë, këto konjuktura kanë ndryshuar. Rusia është më agresive, me prezencë ushtarake, me prezencë të inteligjencës, mediatike dhe nga ana tjetër kemi, po ashtu kemi edhe një prezencë shumë të madhe të Kinës, këto interesa ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në politikbërje. Kemi një bosht aleance që është Rusia, Kina, por shpesh edhe Turqia për qëndrimet që ka. Edhe politikat që ka ndjekur Serbia kanë synuar në disa drejtime. Së pari, nëpërmjet Republika Srbska të thyejnë marrëveshjen e Dejtonit dhe të krijojnë një ndarje, duke aneksuar. Nga ana tjetër, kemi një fuqizim ushtarak të Rusisë edhe me mjete ofensive, të cilat nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen, por tërësisht me qëllime ofensive. Konfliktet e fundit janë me prapaskena fetare dhe etnike në Malin e Zi, probleme të shfaqura në Maqedoninë e Veriut dhe më pas sjellja e Serbisë mbi një marrëveshje që ishte rënë dakord me Kosovën. Narrativi i Serbisë është që, ne do të mbrojmë serbët kudo që janë, është i njëjtë me atë që rusët kanë përdorur në rastin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Janë skenarë të ngjashëm”, u shpreh Mediu. (A2 Televizion)