Berisha u drejtohet delegatëve të PD nga Facebook-u: Më 11 dhjetor mbahet Kuvendi Kombëtar

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2021, 16:07 | Politikë
Berisha u drejtohet delegatëve të PD nga Facebook-u: Më 11

Me anë të një njoftimi në Facebook, Sali Berisha i është drejtuar të gjithë delegatëve të Partisë Demokratike duke u bërë të ditur se më 11 dhjetor do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike.

“Rikonfirmojmë për të gjithë delegatët njoftimin për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në dt 11.12.2021, ora 10:00 te Pallati i Kongreseve, Tiranë. Sipas nevojës, punimet e kuvendit mund të vazhdojnë dhe në datë 12.12.2021”.

https://a2news.com/2021/11/12/bardhi-partia-nuk-eshte-kasaforte-firmat-te-dorezohen-ne-protokoll/

Më 10 nëntor, Sali Berisha dorëzoi në PD, firmat e 4200 delegatëve, siç ai pretendon për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Më pas, Selia Blu doli me një deklaratë zyrtare me anë të së cilës bëri me dije se ish-kryeministri po bën një blof. Në reagimin e PD, shkruhej se Sali Berisha nuk i ka mbledhur ¼ e firmave të nevojshme për të nisur procedurën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.

Në njoftimin e fundit, Berisha shkruan se Kuvendi do të mbahet në bazë të statutit të PD. “Ky kuvend mblidhet në bazë të statutit të Partisë Demokratike neni 43 pika 2, me kërkesën e 4200 delegatëve të tij. Emrat dhe firmat e tyre janë depozituar në zyrën e Edi Palokës, kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe mund të verifikohen nga kushdo brenda orarit zyrtar”.

https://a2news.com/2021/11/12/paloka-hap-kutite-e-firmave-te-delegateve-perjashton-veten-si-firmetar/

Më tej, në postim, Berisha ka bërë të ditur edhe rendin e ditës së Kuvendit Kombëtar të PD.

Në kushtet kur Partia Demokratike e Shqipërisë po përjeton krizën më të rëndë  të identitetit dhe demokracisë së brendshme që nga koha e themelimit të saj, për shkak të dështimeve në aksionin e saj politik dhe mosfunksionimit të forumeve të saj vendimmarrëse, si dhe

-       kur brenda Partisë Demokratike hapësirat e lirisë dhe të demokracisë po asgjësohen qëllimisht dita ditës,

-       kur forca kryesore e opozitës në vend nuk arrin të përmbushë misionin e saj për të ndalur keqqeverisjen e vendit dhe për t’u kthyer në shpresë të qytetarëve dhe në alternativë serioze qeverisëse,

-       kur rikthimi i ushtrimit të sovranitetit nga anëtarësia, brenda familjes tonë politike, është imperativ për t’i dhënë fund uzurpimit të partisë nga një grup njerëzish me qëllime dhe agjenda tërësisht personale,

Me qëllim rikthimin në legjitimitet moral, politik dhe statutor të funksionimit të Partisë Demokratike, për t’a rikthyer atë në shpresë për njerëzit e lirë të këtij vendi,

ne, një grup deputetësh, anëtarësh Kryesie, anëtarësh të Këshillit Kombëtar, kryetarë degësh, grupseksionesh, seksionesh, delegatë të organit më të lartë drejtues të Partisë, Kuvendit Kombëtar, në përputhje me parashikimet e nenit  43 pika 2 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, marrim përgjegjësinë statutore për të thirrur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në datën 11 dhjetor 2021 ora 11.00, me rend dite si më poshtë:

-       Miratimi i ndryshimeve statutore sipas propozimeve konform nenit 43/4 dhe 60 të Statutit të PDSH për rivendosjen dhe garantimin e demokracisë në vendimmarrjen në forumet e Partisë Demokratike. Analiza e qëndrimeve dhe akteve të Kryetarit Basha ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe ndaj forumeve të Partisë Demokratike

-       Vendimmarrje sipas ndryshimeve statutore të propozuara dhe thirrja e referendumit të antarëve të Partisë Demokratike për të miratuar vendimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike

-       Përcaktimi i aksionit politik opozitar të Partisë Demokratike të Shqipërisë

-       Të ndryshme

-       Për ndryshimet statutore do diskutohet mbi bazën e propozimeve të anëtarëve të Kuvendit dhe Këshillit Kombëtar që do të parashtrohen në këtë Kuvend

Kuvendi Kombëtar do të mbahet në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Tiranë.

Kompetencën për verifikimin e mandateve të delegatëve që thërrasin Kuvendin Kombëtar sipas statutit, si dhe të delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvend, e ka drejtpërdrejt  dhe vetëm Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike nëpërmjet organizmave të tij.

Delegatët duhet të kenë me vete ID ose pasaportë si mjet identifikimi

Firmëtarët për mbledhjen e Kuvendi (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos