
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu analizoi në “Intervistë” me Merita Haklajn disa nga arsye përse Rusia dhe Kina kanë shtuar ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit, gjë që vihet re dhe ditët e fundit në situatën e tensionuar në disa prej vendeve.
Për Mediun, Ballkani ka qenë gjithnjë një rajon interesash për dy fuqitë e mëdha dhe shtoi se Rusia dhe Kina kanë përfituar nga dobësimi i institucioneve demokratike dhe vetë demokracisë.
“Që në kohën e presidencës së Obamës ka pasur një zhvendosje të politikave të Shteteve të Bashkuara nga Atlantiku në drejtim të Paqësorit, kjo jo pa arsye. Konfliktet problemet kanë qenë shumë më të mëdha. Mos të harrojmë që ka pasur dhe problematika për shkak të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Për më tepër ka pasur dhe një dobësim të mëtejshëm të institucioneve demokratike dhe demokracisë në këto vende. Këto vende janë kthyer në demokraci të njerëzve të fortë që në mënyra korruptive tentojnë të kontrollojnë jetën demokratike. Në këtë situata politikat e Rusisë u bënë më agresive.
Rusia ka qenë kundër anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në NATO. Prezenca ruse është jashtëzakonisht e fuqishme në Ballkan sidomos me bazën e inteligjencës që ka në Nish, me marrëdhëniet ushtarake dhe stërvitjet që ka zhvilluar me Serbinë, po ashtu dhe Republika Srpska. Nga ana tjetër, kemi dhe një prezencë shumë herë më të fuqishme të Kinës, me iniciativën ekonomike të 17+1. Janë shumë qeveri, qoftë Maqedonia apo Mali i Zi që janë debitorë ndaj Kinës për kredinë që ata kanë dhënë. Të gjitha këto faktorë e kanë sjellë Ballkanin në një lloj kryqëzimi interesash, që duhet t’i analizojmë mirë”, u shpreh Mediu.
(A2 Televizion)